8 ushtarakët turq të arratisur në Greqi
Qeveria greke do të shqyrtojë nesër me procedura të përshpejtuara kërkesën e 8 ushtarakëve turq, që u arrastisën të shtunën me një helikopter dhe kërkuan azil politik në Greqi.
Edhe pse vetë presidenti Erdogan kërkoi ekstradimin e tyre gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Tsipras, ky i fundit iu përgjigj se autoritetet greke do ta shqyrtojnë çështjen e tyre duke respektuar gjithë sa parashikon e drejta ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.
Më herët, zëdhënësja e qeverisë greke kishte deklaruar se nuk mund të injorohet fakti se tetë ushtarakët akuzohen për shkelje të kushtetutës dhe tentativë të përmbysjes së sistemit politik në Turqi.
Të dielën, 8 ushtarakët e forcave ajrore turke dolën para prokurorisë pasi akuzohen për hyrje të paligjshme në Greqi dhe tentativë për tensionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit.
Sipas procedurës formale, prokurori duhet më pas të urdhërojë ekstradimin e tyre, por kjo nuk mund të bëhet kaq shpejt, pasi të tetë ushtarakët, sapo zbritën në tokën greke, deklaruan se kërkojnë azil politik në Greqi.
Kërkesat për azil do parashikohen të zgjasin rreth dy javë, ndërsa paralelisht, do të zhvillohet edhe procedura për shqyrtimin e kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e tyre.
Tetë ushtarakët që ndodheshin në bordin e një helikopteri Black Haëak, u futën mesditën e të shtunës në hapësirën ajrore të Greqisë dhe njoftuan se kishin defekt teknik dhe prandaj u lejuan që të uleshin në aeroportin e Aleksandropol. Menjëherë pas uljes ata thanë se kërkonin azil politik në Greqi.
Tv Klan