8 vjet burg për shqiptarin xheloz që abuzonte me të dashurën
Një gjykatë në Itali ka dënuar me 8 vite burgim një 21-vjeçar shqiptar që dhunonte fizikisht dhe abuzonte seksualisht me të dashurën e tij 18-vjeçare.
Kledian Hoxhaj ishte tepër xheloz, aq sa kalonte në nivel paranoiak. Historia tronditëse daton në Nëntor të vitit 2017. Në atë kohë ai kishte lidhje me 18-vjeçaren dhe në të paktën 3 apo 4 raste e kishte dhunuar fizikisht me pretekstin se nuk i pëlqente sjellja e saj. Për shkak të dashurisë, 18-vjeçarja nuk e kishte denoncuar shqiptarin në polici.
Deri sa një mbrëmje ajo do të qëndronte në shtëpinë e të dashurit të saj, i cili jetonte në San Concordio. Mes tyre lindi një debat që degjeneroi në dhunë. Kledian Hoxhaj e kishte lidhur të dashurën në krevat dhe kishte abuzuar me të seksualisht. Ndaj saj kishte ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me grushte dhe sende të forta në fytyrë.
21-vjeçari i kishte fshehur të dashurës celularin për të mos e lejuar atë që të njoftonte policinë. Madje e kishte kërcënuar:
“Nëse më denoncon, unë do të të vras”
. Të nesërmen, rreth mesditës ai kishte dalë nga banesa dhe vajza e mbyllur në shtëpi përfitoi nga ky rast.
Ajo gjeti celularin dhe njoftoi prindërit e saj. I riu shqiptar u arrestua nga policia dhe nuk shfaqi asnjë pendesë. Madje ai pohoi se me veprimet e tij mbrojti veten nga sjellja e së dashurës. Në përfundim, gjykata e dënoi me 8 vite burgim pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.
/tvklan.al