87-vjetori i Ushtrisë – (4 Dhjetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Në Qendrën Kulturore të Ushtrisë është festuar sot 87 vjetori i krijimit të strukturës mbrojtëse të Shqipërisë në prani të Presidentit të Republikës Rexhep Mejdani, Ministrit Luan Hajdaraga, oficerëve madhorë dhe shumë të ftuarve të tjerë.
Dita e krijimit të Ushtrisë Shqiptare është 4 Dhjetori i vitit 1912 ku me dekretin e Qeverisë së Ismail Qemalit krijohet struktura që do të mbronte integritetin e shtetit të ri shqiptar. Ajo përbëhej prej 14 batolionesh me një efektiv rreth 12 mijë vetësh ndërkohë që me krijimin e ushtrisë është dekretuar dhe krijimi i xhandarmërisë shqiptare me rreth 5 mijë vetë.
Në fjalën e tij Ministri Hajdaraga ka parashtruar objektivin primar të ushtrisë shqiptare, inkuadrimin e saj në strukturat e NATO-s dhe modernizimin e saj sipas standarteve bashkëkohore. Shefi i Shtabit Gjeneral Brigade Aleks Andoni ka theksuar se ky përvjetor është i veçantë këtë vit, vit në të cilin Kosova derdhi gjakun e bijve të vet për lirinë e saj.
Më pas ceremonia ka vazhduar dekorimin e disa ushtarakeve me medaljen e artë të shqiponjës dhe atë për shërbime ushtarake dhe me një program artistik për këtë datë të shënuar./tvklan.al