9 ditë pritje për testin e Covid


9 ditë pritje për testin e Covid

15:46 03/11/2020

Autoritetet heshtin për skandalin

Dhjetëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë të izoluar prej 9 ditësh në pritje të përgjigjes së tamponit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik.

Televizioni Klan ka siguruar një listë me emrat e personave të cilët kanë kryer tamponin në datën 25 Tetor, por ende nuk kane asnjë përgjigje  mbi analizën që duhet t’u tregojë nëse janë apo jo të prekur nga koronavirusi.

Instituti i Shëndetit Publik refuzoi të japë përgjigje për skandalin. Veç ISHP, asnjë institucion tjetër shëndetësor nuk di të tregojë se ç’fat kanë pësuar testet dhe përse qytetarët janë lënë kaq gjatë në pritje, duke u shkaktuar atyre pasoja të shumëanshme.

Për 9 ditë me radhë personat që i janë nënshtruar testit janë mbyllur në shtëpi së bashku me familjarët, kanë lënë punën dhe kanë pezulluar çdo aktivitet. Mungesa e përgjigjes së testit u ka shkaktuar atyre kështu një dëm financiar, por edhe stres e ankth. Të dëmtuara janë edhe bizneset apo institucionet ku ata punojnë, të cilat humbin punonjësit e tyre për ditë me radhë, vetëm se autoritetet shëndetësore nuk arrijnë t’i kryer testet në kohë.

Specialistët thonë se rezultati i PCR merret për 6 deri në 8 orë, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar se ka kapacitet për të kryer rreth 500 analiza në ditë. Në javët e fundit bazuar në raportet e përditësuara nga ministria e Shëndetësisë janë kryer 1200 deri në 1500 teste në ditë.

Shqipëria mbetet kështu ndër vendet e fundit në rajon përsa i përket shpejtësisë së testimeve. Maqedonia e Veriut ka futur testet e shpejta dhe përgjigja jepet për 15 minuta, ndërsa në Kosovë deri në 3 ditë dhe asnjë vend në botë nuk i vonon deri në 9 ditë si Shqipëria.

Tv Klan






Të ngjashme