9 kompani në garë për vaksinën ndaj Covid-19


9 kompani në garë për vaksinën ndaj Covid-19

16:19 10/03/2020

Përpjekje të shumta në Kinë dhe SHBA

Shkencëtarët në gjithë botën janë në garë me kohën për zbulimin e ilaçeve dhe vaksinave për të luftuar koronavirusin, që tashmë ka prekur pjesën më të madhe të globit, 115 vende të botës.

Përpjekje po bëjnë 9 firma farmaceutike me famë botërore. Më përpara me hapat e ndërmarrë është kompania amerikane Moderna me qendër në Masaçusets. Kjo kompani njoftoi aplikimin për testet e para tek njeriu më 24 Shkurt. Provat do të nisin më 19 Mars, tek 45 pacientë të shëndetshëm vullnetarë, të cilët do të mbahen për mbi 1 vit nën mbikëqyrje deri më 1 Qershor 2021. Të tjera marka të mëdha në garë janë edhe Xhonson end Xhonson e GlaksoSmithKlajn.

Përpjekje të mëdha po bëhen veçanërisht në Kinë, ku shkencëtarët e këtij vendi ishin të parët që zbuluan në kohë rekord ADN-në e virusit, një hap i rëndësishëm në zbulimin e kurave. Koreja e Veriut njoftoi se ka gati një anti-viral edhe pse ngrihen dyshime mbi këto pretendime pasi deri më tani ky vend nuk ka raportuar për të prekur.

Sipas përllogaritjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksina nuk mund të prodhohet më herët se 1 vit e gjysmë. Megjithatë ka përpjekje për të përshpejtuar procesin. Shkencëtarët po përdorin vaksina kundër viruseve të ngjashme, duke përdorur inxhinierinë gjenetike për t’i ripërpunuar e përshtatur për koronavirusin. Vaksina kundër hepatitit B është shembull i prodhimit me këtë metodë. Por nuk përjashtohet mundësia që përpjekjet për gjetjen e një vaksine për koronavirusin të dështojnë, siç ka ndodhur me HIV-in.

Tv Klan






Të ngjashme