Dhunuan policinë dhe punonjësit e IKMT
9 të proceduar, 1 person vihet në pranga
Policia ka proceduar 9 persona pas sulmit me gurë dhe sende të forta që banorë të zonës së Unazës së Re bënë mëngjesin e djeshëm ndaj policisë dhe punonjësve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Si pasojë e sulmit mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe një efektiv i uniformave blu. I dëmtuar mbeti edhe një automjet i policisë.
Policia thotë se bazuar në pamjet filmike dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes arrestoi një 50-vjeçar, shpalli në kërkim 7 të tjerë ndërsa një 35-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat: “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Thirrje publike për veprime të dhunshme”.
Tv Klan