9 të shoqëruar për vrasjen e 37-vjeçarit, ishte pronar i një resorti


9 të shoqëruar për vrasjen e 37-vjeçarit, ishte pronar i një resorti

15:25 02/10/2016

Erion Millo, 37-vjeçari që u vra mbrëmjen e të shtunës në qytetin e Elbasanit u qëllua me armë zjarri. Ngjarja sipas policisë ka qenë një atentat i organizuar, ku dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën dy persona.

Blutë njoftuan se në vendin e ngjarjes, pranë stacionit të trenit, kanë gjetur dy gëzhoja pistolete, me të cilët dyshohet se është qëlluar Millo.

9 persona janë shoqëruar në drejtorinë e policisë së Elbasanit si të dyshuar se kanë dijeni për krimin. Por deri në këto momente ata nuk kanë dhënë asnjë element të vlefshëm për zbardhjen e këtij krimi.

Grupi hetimor po kalon në sitë të gjitha konfliktet e tij të mundshme me persona të ndryshëm në Elbasan dhe në Itali. Mësohet se 37-vjeçari ka jetuar për një kohë të gjatë në shtetit fqinj si emigrant.

Zbardhja e krimit do të jetë e vështirë për policinë pasi në zonë nuk ka asnjë kamera sigurie ku mund të jenë filmuar autorët  e dyshuar. Ata kanë përfituar edhe nga errësira për të humbur çdo gjurmë.

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, 37-vjeçari rezulton të jetë administrator dhe ortak në një kompleksi që ofron shërbime të ndryshme në fshatin Xibrakë, të Elbasanit. Emri i kompleksin është “Garden” dhe ka si objekt të aktivitetit të tij tregtimin e karburantit, restorant, bar dhe hoteleri.

Burime të rezervuara i thanë Tv Klan se po verifikohen disa të dhëna që kanë të bëjnë pikërisht me këtë pronë.

Të njëjtat burime sqaruan se ka dyshime se vrasja e të shtunës të ketë lidhje me ngjarjet e tjera kriminale të ndodhura në Elbasan gjatë këtij viti./TV KLAN






Të ngjashme