Rritet numri i viktimave nga Covid
9 humbje jete dhe 325 të infektuar
Ka pësuar sërish rritje numri i viktimave nga Covid në vendin tonë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me Covid-19, 9 qytetarë, nga të cilët 3 nga Fieri, 2 nga Tirana, 2 nga Vlora, 1 nga Lezha dhe 1 nga Berati, të moshave nga nga 51 deri në 75 vjeç.
Në total që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë 2,768 qytetarë.
Mbetet thuajse e njëjtë sitautata në spitale, ku aktualisht po marrin trajtim të specializuar mjekësor 164 pacientë, nga të cilët 19 janë në gjendje më të rënduar.
Ndërkohë që këtë të dielë është konfirmuar sërish trendi rënës i kurbës së infektimeve të reja. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë nga 2827 testime të kryera janë konfirmuar 325 qytetarë të infektuar.
Harta e përhapjes së virusit është e shtrirë në të gjithë vendin, por Tirana kryeson listën me gati gjysmën e rasteve të reja. Pas saj qytetet që kanë më shumë raste të reja ditore janë Durrësi, Fieri, Saranda dhe Kamza.
Aktualisht në vendin tonë janë edhe afro 7 mijë raste aktive me Covid-19.
Tv Klan