9 të vdekur dhe 700 të helmuar nga kërpudhat
Më shumë se 700 persona janë helmuar pasi hëngrën kërpudha të egra helmuese në Iran. Sipas shërbimeve të emergjencës në këtë shtet, të paktën 9 persona kanë gjetur vdekjen, ndërsa me dhjetëra të tjerë mbeten në gjendje kritike.
“Të dhënat e fundit të emergjencës flasin për 721 persona të helmuar nga kërpudhat helmuese, nga të cilët 190 ndodhen në spital, 523 janë kthyer në shtëpi, ndërsa 9 persona kanë vdekur”,
tha për agjencinë e lajmeve ISNA, një zëdhënës i shërbimit të emergjencës.
Po sipas këtij të fundit, të paktën 50 persona që u shtruan nëpër spitale të ndryshme të vendit janë në gjendje kritike dhe disa kanë nevojë për transplant mëlçie për të shpëtuar.
Ministria e Shëndetësisë tha se shkak për këtë gjendje ishte bërë një shi i dendur që kishte rënë nëpër rajonet malore të vendit dhe u bëri thirrje njerëzve që të evitojnë ngrënien e kërpudhave të egra dhe jo të zakonshme. Madje autoritetet bënë thirrje që as të mos i preknin ato për shkak se në lëkurën e disa prej tyre ka lëndë toksike.
/tvklan.al