9 viktima dhe 375 raste të reja me Covid


9 viktima dhe 375 raste të reja me Covid

16:23 26/12/2020

33 pacientë në terapi intensive

Kanë shënuar sërish rënie shifrat e koronavirusit në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 1889 testime nga të cilat janë konfirmuar vetëm 375 raste të reja, shifra më e ulët kjo e infektimeve ditore që prej 2 Nëntorit të shkuar. Harta e shpërndarjes së rasteve të reja është e shtrirë sërish në gjithë vendin, por Tirana kryeson sërish listën me 127 raste dhe pastaj vijnë Fieri me 35, Durrësi me 32, Vlora me 24 dhe Kavaja me 20 raste.

Megjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk kanë arritur të fitojnë betejën me sëmundjen 9 qytetar me Sars-Cov2 pozitiv, 5 nga të cilët nga Tirana, 1 nga Lezha, Përmeti, Berati dhe Gjirokastra, më i riu mes tyre vetëm 38 vjeç.

Numri i të shtruarve në spitale vijon të jetë po ashtu i qëndrueshëm. Ministria e Shëndetësisë raportoi se aktualisht në 4 spitalet Covid, po trajtohen 324 pacientë, 33 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Edhe për këtë 24 orësh numri i të shëruarve është më i madh se ai i të infektuarve. Autoritetet raportuan për 391 qytetarë të shëruar, ndërkohë që raste aktive mbeten 23,431.

Tv Klan






Të ngjashme