Gjykatat nuk konfirmojnë kryebashkiakët e Durrësit dhe Vorës
Edhe pse deri tani procesi i legjitimimit në gjykatat e rretheve të kryebashkiakëve të zgjedhur në 30 Qershor kishte kaluar pa probleme duke konfirmuar 29 kryebashikakë, dy gjyqtarë kanë vendosur ndryshe këtë të mërkurë. Fillimisht gjykata e Durrësit dhe më pas ajo e Tiranës nuk pranuan të konfirmojnë si fitues kandidatët socialistë ne Durrës dhe Vorë për arsye të ndryshme.
Gjykata e Shkallës së parë në Durrës refuzoi ti japë mandatin kandidates socialiste, Valbona Sako. Gjyqtarja Mimoza Margjeka argumenton se rivalja e Sakos, Valbona Sakollari që garonte nën siglën e Bindjes Demokratike është regjistruar jashtë afateve ligjore.
“Partia Bindja Demokratike është regjistruar në Gjykatë më datën 25 prill 2019 pasi kishte përfunduar afati i regjistrimit të subjekteve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019. Bazuar ne nenin 64 të Kodi Zgjedhor afati i fundit për tu regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor është përcaktuar data 23 prill 2019.”
Në zgjedhjet e 30 Qershorit kandidatja socialiste Valbona Sako mori 34 026 vota ndërsa kandidatja e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari 3 629 vota.
Ndërsa Gjykata e Tiranës nuk shpalli fitues të zgjedhjeve kandidatin socialist për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku i cili nuk kishte rivalë. Gjyqtarja Ariana Gunbardhi vendosi t’ia kaloj këtë çështje për kompetencë gjykatës administrative të rrethit të parë Tiranë.
Shumë gjykata në vend kanë konfirmuar mandatet e të zgjedhurve vendore për bashkitë edhe pse kandidatët socialiste kanë pasur përballë rivalë të Bindjes Demokratike. Të tilla janë rastet e Korçës, Kolonjës, Mallakastrës, Kukësit e Shijakut. Gjykatat kanë konfirmuar edhe rastet kur kandidatët socialiste kanë qenë të vetëm në garë si në Elbasan, Patos, Maliq, Has, Divjakë apo Përmet. Teksa 29 kryebashkiakë kanë marrë mandatin, fituesit e tjerë janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave dhe caktimin e gjyqtarëve për marrjen e vendimeve të konfirmimit në detyrë të kryetarëve të rinj.
Fituesit bashkive të konfirmuar nga gjykatat
- Tonin Marina, Malësi e Madhe
- Gjon Gjonaj, Pukë
- Rexhë Byberi, Tropojë
- Liman Morina, Has
- Safet Gjici, Kukës
- Agron Malaj, Mat
- Ilmi Hoxha, Klos
- Elton Arbana, Shijak
- Redi Krali, Kavajë
- Haxhi Memolla, Rrogozhinë
- Lorenc Tosku, Peqin
- Andis Salla, Cërrik
- Gentjan Llatja, Elbasan
- Kastriot Gurra, Librazhd
- Fatos Tushe, Lushnjë
- Fredi Kokoneshi, Divjakë
- Armando Subashi, Fier
- Rajmonda Balili, Patos
- Majlinda Bufi, Roskovec
- Qerim Ismaili, Mallakastër
- Juliana Memaj, Ura Vajgurore
- Gëzim Topçiu, Maliq
- Pali Kolefski, Pustec
- Eduard Duro, Devoll
- Erion Isai, Kolonjë
- Alma Hoxha, Përmet
- Gjolek Guci, Memaliaj
- Tërmet Peçi, Tepelenë
- Flamur Golemi, Gjirokastër
Tv Klan