Takimet e Fuerer në Shqipëri (13 Dhjetor 1999)


Takimet e Fuerer në Shqipëri (13 Dhjetor 1999)

11:06 13/12/1999

Qeveria shqiptare nuk do të lejojë keqpërdorimin e çeshtjes së minoriteteve në Shqipëri. Në takimin me Hans Peter Furer, Drejtor Politik i Këshillit të Europës, Kryeministri Ilir Meta ka theksuar se qarqe jo zyrtare po përpiqen të instrumentalizojnë çeshtjen e minoriteteve në Shqipëri, ndërkohë që Qeveria Shqiptare nuk mund të pranojë t’u japë njerëzve të pakicave kombëtare më shumë të drejta se shqiptarët.

Meta ka theksuar se Qeveria e tij synon forcimin e institucioneve, synon të zbatojë reformën administrative, decentralizimin dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të cilat sipas Kryeministrit Ilir Meta do të jenë më të rregulltat në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Furer është pritur dhe nga Kryeparlamentari Skënder Gjinushi. Është vlerësuar heqja e dënimit me vdekje, hap që duhet të pasohet sipas drejtorit Politik të Këshillit të Europës edhenga ratifikimi i Parlamentit Shqiptar i protokollit 6 të Këshillit të Europës, për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.

Në takimin me Ministrin e Kulturës Edi Rama është theksuar mbrojtja e vlerave kulturore dhe traditave kombëtare në zonat e populluara nga minoritetet. Trajtimi i minoriteteve nxit dialogun politik në rajon tha Furer. Në Ministrinë e Jashtme ai është pritur nga zëvëndës Ministri i Jashtëm Pëllumb Xhufi. Misioni faktmbledhës i Këshillit të Europës do të grumbullojë të dhëna mbi trajtimin e minoriteteve në Europën Juglindore për t’ja paraqitur në një raport të veçantë Këshillit të Europës./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme