Reforma në Drejtësi, mazhoranca mbledh të premten komisionin


Reforma në Drejtësi, mazhoranca mbledh të premten komisionin

15:34 13/04/2016

Kryetari i Komisionit të Posaçëm parlamentar të Reformës në Drejtësi ka thirrur mbledhjen e tij të premten në orën 10:00. Sipas Fatmir Xhafës nuk ka më kohë për të pritur për një reformë, që sipas të gjitha sondazheve e duan me shume se 90 % e shqiptarëve, por që sipas tij po bëhet pengesë dhe për investimet e huaja në Shqipëri.

Xhafa tha se, beson që opozita do të drejtohet nga ajo çka duan shqiptarët dhe s’do të ndikohen nga politika e ditës, duke iu referuar kushteve të opozitës. Por pas mbledhjes se grupit parlamentar, demokratet deklarojnë se vendimin për tu bërë pjesë e komisionit do ta bëjnë të ditur vetëm pas seancës plenare të ditës së enjte, kur presin të votohet kërkesa e tyre për ngritjen e komisionit hetimor për marrëveshjen me CEZ.

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores vendosi këtë të mërkurë që në Gjykatën Kushtetuese të shkojë kërkesa personale e dy deputetëve socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj për pajtueshmërinë ose jo të mandatit të tyre. Përfaqësuesit e opozitës në Këshill u shprehën kundër procedurës duke kërkuar që kërkesën në Kushtetuese ta bëjë Kuvendi dhe jo dy deputetët.

TV KLAN






Të ngjashme