Freedom House: Shtypi në Shqipëri pjesërisht i lirë, hapa pas


Freedom House: Shtypi në Shqipëri pjesërisht i lirë, hapa pas

09:50 27/04/2016

Organizata “Freedom House”, me seli në Shtetet e Bashkuara, vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë.

Në raportin e kësaj organizate, të publikuar të mërkurën, Kosova radhitet në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 106-të, me 51 pikë. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq.

Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës.  Nga vendet e rajonit,  vetëm Maqedonia mbetet pas Shqipërisë.

Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova  ishin renditur në vendin e 98-të. Në mesin e vendeve të Evropës juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.

Maqedonia bashkë me Turqinë, klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë.

Në raportin e organizatës “Freedom House” thuhet se dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015, por po ashtu kanë ndikuar edhe mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.

Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t’i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet. Sipas “Freedom House” vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë.

/tvklan.al

Burimi: VOA






Të ngjashme