Historia e Arben Frrokut me drejtësinë shqiptare
Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për shpalljen e pafajshëm të Arben Frrokut, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Kryekomisarit Dritan Lamajt erdhi pas më shumë se një viti procesi gjyqësor dhe 48 seancave të zhvilluara.
Trupi gjykues i përbërë nga Klodian Kurushi, Fran Prendi, Ardjan Mustafaj, Liljana Baku, me Kryetar Dritan Hallunaj i dhanë pafajsinë Frrokut.
Ai e la qelinë e burgut 302 në Tiranë më 3 Prill të vitit 2015.
Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar dënimin me burgim përjetë, por trupi gjykues arriti në përfundimin se dy nga provat kryesore të sjella nga akuza, ajo e tabulateve telefonike dhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur të njohur si Arben Ndoka, ishin të pavlefshme.
Pas pafajësisë, organi i akuzës e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit.
Më datë 29 Qershor 2015, Apeli e dënoi Arben Frrokun me burgim të përjetshëm të formës së prerë, por pas këtij vendimi u konstatua largimi i tij nga Shqipëria.
Ai u shpall zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar 2 ditë më pas.
Frroku arriti të largohet nga Shqipëria, 10 ditë para vendimit. Ai figuronte se kishte dalë nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, nga pika kufitare e Hanit të Hotit, në datën 20 Qershor 2015.
Më pas ai kishte vazhduar rrugën për në Koraci. Në këtë kohë, Frroku ishte ndaluar nga policia e këtij vendi pasi emri i tij figuronte në listën e personave të shpallur në kërkim. Pala kroate komunikoi me autoritet tona duke e sqaruar për situatën.
Në një komunikim të dytë kroatëve iu tha se kishte një gabim, për shkak se nuk ishte bërë azhornimi i sistemit. Arben Frrokut nuk mund t’i pengohej lëvizja, pasi kishte një vendim gjykate që e shpallte të pafajshëm.
Vendim i cili e lironte nga çdo lloj detyrimi.
Pas 5 orë qëndrimi në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ai u la i lirë për të vazhduar rrugën e tij.
Ky ishte dhe momenti i fundit ku dihej vendndodhja e Arben Frrokut dhe më pas nuk kishte më asnjë informacion.
Dyshimet ishin që ai ndodhej në vendet e Europës Lindore. Një pistë tjetër ishte që ndodhej në vendet e Bashkimit Europian, pikërisht në Belgjikë, vend në të cilin kishte jetuar para vitit 2000.
Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua në mbrëmjen e 24 Shkurtit të 2013, në orën 18:00 në afërsi të banesës së tij, në zonën e njohur Vasil Shanto.
24 orë pas vrasjes së tij, biznesmeni Arben Frroku u arrestua në Selanik për llogari të shtetit shqiptar, nën akuzën i dyshuari kryesor për vrasjen e kryepolicit.
Ai qëndroi gati 8 muaj në Greqi dhe në Nëntor të vitit 2013 u ekstradua në Shqipëri. /tvklan.al