PD: Rama e Tahiri vonuan të dhënat për Frrokun
Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm, Tahiri se pasi e ndihmuan Arben Frrokun të arratisej jashtë vendit, vonuan edhe dërgimin e të dhënave të tij, pas arrestimit nga autoritetet holandeze.
Demokratët thonë se pala shqiptare ka qënë në dijeni të arrestimit të Arben Frrokut në 6 Mars, ndonëse i pari që publikoi lajmin në media ishte ish – Kryeministri Berisha. Por opozita thotë se pas kësaj vonese fshihet i njëjti skenar, ai i zvarritjes së urdhër – arrestit edhe për vëllain e tij, Mark Frroku.
Por Ministria e Brendshme i ka cilësuar vazhdim i sulmeve dhe përbaltjes së Policisë së Shtetit akuzat e opozitës.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, kjo Ministri sqaron se autoritetet shqiptare kanë patur komunikim me partnerët dhe sapo ka ardhur sinjali i parë për vendndodhjen e të dyshuarit Arben Frroku, brenda një kohe rekord janë dërguar në Holandë të dhënat krahasuese dhe dje në orët e pasdites është konfirmuar identiteti, u shpall arresti dhe nisi procedura e ekstradimit të tij.
Jolldiz Mitro/Tv Klan