Mashtrimi me vizat, nën hetim edhe persona të tjerë
Në skemën e mashtrimit me vizat të shoqërisë Ande - LM janë përfshirë dhe persona të tjerë, të cilët kanë shërbyer në rolin e bashkëpunëtorit të Luli Makashit.
Burime nga policia bën me dije se, po punohet për shoqërimin e një djali dhe një vajze, rreth 25 - vjeç, që sipas dëshmive të të dëmtuarve, punonin si bashkëpunëtorë të 52 - vjeçares. Televizioni Klan zbulon se, skema e mashtrimit ishte e shtrirë dhe në vende si Danimarka, Norvegjia, Malta, si dhe kontrata punësimi 2 - vjeçare në Dubai. Në këtë email, që është pjesë e dosjes së policisë, kompania Ande - LM i propozon listën e çmimeve një qytetari për "Green Card" në Danimarkë. Nëpërmjet këtij email -i premton se, pas procedurave të aplikimit dhe kalimit të disa fazave, me një kosto mbi 9 mijë paund, qytetari do përfitojë dhe pasaportë daneze. Ndërsa më poshtë i ofrohet qytetarit mundësi aplikimi për në Malajzi dhe mundësi punësimi si student në Kanada, për 20 orë në javë. Por nga ana tjetër, nga një vendim i Gjykatës së Apelit konstatohet se, që prej Majit të vitit 2013, kompanisë së Makashit i janë vendosur disa herë sekuestro të përkohshme, për mos - shlyerje të detyrimeve kreditore ndaj bankave të nivelit të dytë, duke rrëzuar kësisoj pretendimin e 51 - vjeçares përpara gjykatës, se problemet financiare kishin nisur në Mars të vitit 2015. Në vitin 2005, objekti fillestar i kësaj kompanie ka qenë hapja e sallave estetike e kozmetike, si dhe reklamimi i arritjeve në këto fusha dhe më pas është përfshtatur si agjenci e punësimit, duke ndërmjetësuar e punësuar, si brenda vendit edhe jashtë. Me vendim gjykate, Luli Makashi po qëndron në burg, ndërsa për vajzën e saj, gjykata ka dhënë detyrim paraqitje. Në arrest me burg po qëndron edhe bashkëpunëtori i tyre Klevis Rreshka. Tv Klan