Pashkët ortodokse, Nishani e Rama zgjedhin Korçën
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka zgjedhur Korçën për të uruar besimtarët ortodoksë për Pashkët.
Pasi u prit nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse, kreu i shteti uroi nga afër qytetarët korçarë, ndërsa përcolli si mesazh shpresën dhe besimin, për gjithë besimtarët në mbarë vendin.
“Mesazhet e Pashkëve janë shumë të qarta: shpresë dhe besim. Dhe unë jam i bindur që në këto Pashkë, shpresa ringjallet më shumë, se e mira ekziston dhe ne duhet të ringjallim besimin që të gjithë së bashku mund të shkojmë tek e mira. Kështu që edhe njëherë: Gëzuar! Mbarësi të gjithë besimtarëve ortodoksë korçarë në familjet e tyre, por edhe të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, mirësi dhe fat!”.
Kreu i shtetit pati një vlerësim të veçantë për klerikët e Kishës Ortodokse Shqiptare, për punën e jashtëzakonshme për të promovuar vlerat dhe virtytet më të mira tek njeriu dhe tek shoqëria.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Korçën për të festuar Pashkët.
Urimin për besimtarët, ai e postoi në rrjetet sociale, të shoqëruar me fotografinë e Katedrales së këtij qyteti.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e bëri urimin me një mesazh të shpërndarë nga Zyra e Shtypit.
“Le të jetë kjo festë e ringjalljes, një shkëndijë shprese dhe besimi për çdo shqiptar se e nesërmja që po vjen do të jetë më e mirë”,
shkruan ai.
Brunilda Cami/Tv Klan