Publikohen pamjet e ekzekutimit të Elton Çiçës
36 – vjeçari Elton Çiça u qëllua me 2 plumba në një lokal pranë shkollës “Emin Duraku”, rreth orës 22:05.
Siç shihet nga këto pamje filmike të kameras së sigurisë së lokalit ku ndodhi krimi, atentatori, që mbante një kapele në kokë, ka hyrë qetësisht në lokalin ku Çiça po qëndronte me dy persona të tjerë.
I shkon përballë viktimës dhe pa thënë asnjë fjale e qëllon dy herë me një pistoletë me mulli.
Më pas largohet me shpejtësi dhe madje përplaset me klientët, që ngrihen të tmerruar nga tavolinat.
Një prej plumbave e ka goditur në kokë viktimën, ndërsa tjetri në kraharor.
Elton Çiça nuk e ka parë atentatorin t’i afrohej, pasi ka qenë duke shkruar në telefonin celular.
Dëshmitarë i kanë thënë policisë se ka ndodhur gjithçka në pak sekonda. Pasi ka dalë nga lokali, vrasësi është larguar me shpejtësi në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”.
Policia dyshon se ai ka patur bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët mund ta kenë sinjalizuar për lëvizjet e shenjestrës së tij.
Të paktën dy persona, që kanë qenë të ulur në lokal kanë qenë të dyshuar. Deshmitarë okularë i kanë thënë policisë se, kur vrasësi ka hyrë në lokal, ata i kanë bërë shenjë.
Pavarësisht ndihmës së parë dhe transportimit drejt Spitalit të Traumës, 36 – vjeçari nuk u ka mbijetuar plagëve të marra.
Grupi hetimor i ngritur në vendgjarje ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit ku duket e plotë e gjithë dinamika e vrasjes, si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët në vendgjarje.
Pista paraprake e hetimit është ajo e hakmarrjes, për shkak të një kalvari ngjarjesh të ndodhura pas grabitjes nëpërmjet dhunës, që katër persona të maskuar i bënë familjes së Çiçës në Mars të vitit 2015 në Tepelenë.
Tv Klan