“Konjari”, Prokuroria urdhëron rihetimin e policit
Efektivi i Policisë së Tiranës, që dyshohet se ndihmoi Domart Konjarin të pajiset me pasaportë të rregullt, me identitet të ndryshuar, është vënë sërish nën hetim.
Prokuroria ka urdhëruar që ndaj policit të Komisariatit Numër 3, emri i të cilit nuk bëhet publik, të kryhen të gjitha veprimet hetimore proceduriale, pas 6 muajsh zvarritjeje.
Punonjësi i policisë, që është ende në detyrë, dyshohet se ka qenë në dijeni të faktit se personi që po aplikonte për pasaportë në emrin Arben Lazri, ishte Domart Konjari, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me 10 vjet burg në Francë për trafik ndërkombëtar droge dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria thotë se ai nuk ka bërë verifikimet që kryhen në rastet e aplikimit për pasaportë dhe ka lejuar që Konjari të aplikojë me identitet të rremë, duke u bërë shkak që ai të pajisej me një pasaportë, që në sistem figuronte e rregullt.
Kjo pasaportë i është lëshuar Domart Konjarit më 30 Tetor. 6 ditë më vonë, me 5 Nëntor, ai niset për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
Nën identitetin e Arben Lazrit, ai e kalon kontrollin shqiptar në Kapshticë, por kthehet nga grekët, të cilët e ndalojnë për shkak se ai nuk justifikonte arsyen e udhëtimi.
Policia shqiptare fillon procedurat e verifikimit dhe zbulon se Arben Lazri, në të vërtetë kishte fotografi tjetër në sistem, të hedhur në vitin 2007.
Konjari ndalohet për falsifikim të dokumentave, ndërkohë që autoritetet franceze sjellin dosjen në Tiranë, ku kërkojnë që ai të mbahej në burg. Por më 14 Mars, ai lirohet nga Apeli i Krimeve të Rënda me detyrim parqitje, për shkak të kalimit të afateve të hetimit.
Dy ditë pas lirimit, Ambasadori francez, Bernard Fitusi, nëpërmjet një letre dërguar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm dhe atij të Drejtësisë, shpreh shqetësimin se si mund të lihej i lirë një person me rrezikshmëri të lartë, që ka drejtuar një rrjet trafiku të kokainës në 6 vende.
Tv Klan