I dënuari për dy vrasje në ’97 refuzon ekstradimin: Më pret gjakmarrja!
Saliman Barçi, i kërkuari nga drejtësia shqiptare, si i dyshuari kryesor për vrasjen e dy të rinjve në 1997 –ën, mësohet se jeton prej vitesh në Britani, me identitet të rremë.
Sipas “Daily Mail”, 40 – vjeçari arriti të marrë nënshtetësinë britanike pasi u hoq si azilkërkues nga Kosova në 2001.
Babai i tre fëmijëve, kërkohet nga autoritetet shqiptare pasi në vitin 2009, ai u dënua në mungesë me 25 – vite burg për vrasjen e Përparim Ibrahimit dhe Artur Gjikolës.
Ky vendim u hodh poshtë në 2013 – ën, pas disa apelimeve nga nëna dhe motra e Barçit. Çështja e tij tashmë ka shkuar në Gjykatën e Apelit dhe siç shkruan “Daily Mail”, prokurorët shqiptarë thonë se kanë prova të reja për ta rihapur çështjen dhe Korrikun e vitit të shkruar kërkuan ekstradimin e Barçit drejt vendit tonë.
Por nga ana e tij, Barçi, i cili jeton prej 14 vitesh në Britani nën emrin Samir Basha, po lufton ekstradimin duke përdorur ligjin për të Drejtat e Njeriut, pasi pretenton se jeta e tij është e rrezikur në Shqipëri, për shkak të hasmërisë.
Kjo pasi Barçi deklaron se nipi i tij është vrarë për shkak të kësaj të fundit dhe se në 2001 -in kanë tentuar ta vrasin edhe në Britani.
Teksa doli përpara gjykatës britanike, ai tha se në Shqipëri do të përballet me torturë në burg, duke e quajtur sistemin e drejtësisë të korruptuar.
Avokati i tij mbrojtës i tha gjykatës së nuk kishte prova direkte që të sugjeronin se vendimi i 2009 – ës nuk ishte e prekur nga korrupsioni.
Një tjetër argument që Barçi i solli gjykatës për të evituar ekstradimin ishte dhe shëndeti i tij.
40 – vjeçari humbi njërën këmbë në 1996 – ën pas një aksidenti me motor, ndërsa deklaron se ka pësuar edhe një arrest kardiak.
Gjykata britanike pritet të marrë një vendim për shqiptarin brenda këtij muaji, ku do të vendosë nëse ai është larguar nga Shqipëria për shkak të gjakmarrjes apo për t’i shpëtuar dënimit nga drejtësia shqiptare./tvklan.al