Korrupsioni, prokuroria kërkon 2 vjet burg për ish-drejtorin e Shëndetit Publik
Dy vjet burg ka kërkuar prokuroria e Korçës për ish-drejtorin e Shëndetit Publik Devoll, Valent Nallbati, si edhe 1 vit e 6 muaj burgim për inxhinierin Panajot Pilani. Dy ish zyrtarët janë akuzuar se kanë kryer procedura fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit të drejtuar nga Nallbati.
Procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata do të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë nga gjykata. Nallbati dhe Pilani akuzohen për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”.
Në vitin 2015, ata kanë realizuar procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit, për punime të cilat ishin kryer në vitin 2011. Hetimi ndaj të pandehurve është zhvilluar fillimisht me masën e sigurimit “arrest në burg”, e cila u ndryshua nga Gjykata e Apelit në “detyrim për paraqitje”.
Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin pas një letre anonime të mbërritur në zyrën e saj, në të cilën shkruhej se nga ana e Drejtorit Rajonal po zhvillohej një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Po ashtu, letërshkruesi anonim vinte në dijeni se drejtori kishte kryer disa pune “dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Gjithnjë sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila që do të fitonte tenderin.
Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Devoll ishte parashikuar rreth 2.4 milionë lekë. Nga buletini i Prokurimit Publik rezulton se kompania ’E….” shpk ishte shpallur fitues me ofertën 1.7 milionë lekë, dukshëm nën koston e asaj që ishte parashikuar në dosjen e tenderit. /tvklan.al