1 muaj burg për gjyqtarin Ibrahim Hoxha


1 muaj burg për gjyqtarin Ibrahim Hoxha

15:14 05/05/2016

Gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë për Ibrahim Hoxhën, gjyqtarin e Tiranës të arrestuar 3 ditë më parë. Kolegu i tij Idriz Mulkurti ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë. Hoxha akuzohet për korrupsion pasiv, pasi në këmbim të 6 milion lekëve do t’i jepte të drejtë palës që do të paguante, në një proces për çështje pronësie.

E njëjta masë është vendosur dhe për djalin e gjyqtarit, Ledion Hoxhën. I riu ishte personi që do të merrte paratë. 1 muaj do qëndrojë në burg edhe Nevruz Gajda i cili kishte rolin e sekserit. 30 ditë do të qëndrojë në paraburgim edhe Dritan Jazenxhi personi i cili do të paguante paratë për të zgjidhur problemin e pronësisë që kishte me motrën e tij prej vitesh.

Mësohet se të akuzuarit nuk kanë pranuar akuzën duke dhënë një tjetër version nga ajo çfarë shkruhet në dosjen hetimore. Mësohet se Dritan Jazenxhi ka thënë para gjykatës se ia ka dhënë paratë borxh Nevruz Gajdes, pasi ia kishte kërkuar. Ky fundit ka deklaruar se paratë do t’i përdorte për të blerë një makinë djalit të gjyqtarit Ledio Hoxhës. Ndërsa vetë gjyqtari ka sqaruar se nuk ishte në dijeni të shitjes së makinës.

Tv Klan






Të ngjashme