Nishani: Kroacia, partner preferencial
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nisi vizitën e tij dy ditore në Kroaci, ku u prit nga Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarović.
Të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas, kryesuan takimet zyrtare mes delegacioneve, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe ndërkombëtar. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Nishani tha se dy vendet duhet ta trajtojnë njëri – tjetrin si partnerë preferencialë.
“Në këtë kontekst, si dhe nisur nga dëshira e vullneti që këto marrëdhënie të shkëlqyera dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona t’i ngremë në një nivel më të lartë, propozova që këto marrëdhënie të promovohen dhe ngrihen në atë të partneritetit preferencial. Besoj se ka ardhur koha që qeveritë e dy vendeve tona ta shohin me prioritet këtë propozim, pasi jam i bindur se kështu do të mund t’i nxisim më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht ato ekonomike e tregtare. Gjithashtu, jam i bindur se përmes këtij partneriteti preferencial do të mund të koordinojmë dhe sinkronizojmë më mirë formatimin e strategjive të përbashkëta, si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal apo ndërkombëtar”.
Presidenti Nishani, u takua edhe me Kryeministrin e vendit, Tihomir Orešković, me të cilin bisedoi mbi mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në rrafshin ekomik në shkëmbime tregtare, si dhe në nivel rajonal e ndërkombëtar. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë gjatë procesit të integrimit evropian.
Nishani pati një takim të veçantë edhe me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Željko Reiner.
Erjon Todhe/Tv Klan