Berisha: Gazetari u dhunua nga të afërm të Shullazit


Berisha: Gazetari u dhunua nga të afërm të Shullazit

17:07 10/05/2016

Ish – Kryeministri Sali Berisha thotë se gazetarin Eduard Ilnica e kanë dhunuar njerëz të lidhur me Emiljano Shullazin.

Berisha thotë se dhuna në Tiranë, Pogradec, Peshkopi dhe Durrës kulmoi me masakrimin e një gazetari.

Ai thotë se e dënon me ashpërsinë më të madhe dhunën e egër të ushtruar ndaj gazetarit Ilnica nga kriminelët e pushtetit dhe i bën thirrje Prokurorisë të veprojë me urgjencë dhe me të gjithë rreptësinë e ligjit, kundër mafies shtetërore, që po zhyt futbollin në një katastrofë të vërtetë.

Në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj Ilnica, ka reaguar edhe Shoqata e Mediave Elektronike.

Ajo e dënon ashpër dhunën dhe goditjen e gazetarit për shkak të detyrës, duke theksuar se ky është një akt i rëndë kundër lirisë së shtypit.

Edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë e ka dënuar me forcë këtë ngjarje.

Ajo thotë se dhunimi i një gazetari për shkak të detyrës është një ngjarje e rëndë, e shëmtuar dhe e papranueshme, jo vetëm si veprim i paligjshëm që vë në rrezik jetën e një njeriu, por edhe si akt që cënon drejpërdrejtë lirinë e medias.

Përfaqësuesja e OSBE -së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović përshëndeti reagimin e shpejtë të policisë dhe kërkoi që hetimi të japë rezultate dhe të çojë të gjithë fajtorët para drejtësisë.

Tv Klan






Të ngjashme