Presidenti: Akuzat e Veliajt, të papranueshme. Drejtësia të thotë fjalën e saj për shpifjet e bëra


Presidenti: Akuzat e Veliajt, të papranueshme. Drejtësia të thotë fjalën e saj për shpifjet e bëra

18:30 12/05/2016

“Ky është një njeri që zhgënjeu publikun në mënyrën sesi vodhi pronën e Kishës Katolike në Elbasan. Ky është një njeri që disa herë, me të gjithë ministrat e kabinetit tonë, ka shkuar kundër interesit publik, për interesin personal”.

Këtë deklaratë publike të Kryetarit të Bashkisë, bërë në emisionin “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e konsideroi një shpifje dhe për këtë çështje tha se do t’i drejtohet Drejtësisë.

“Shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e institucionit të Presidentit të Republikës, Shtetit Shqiptar, nuk mund të ketë në krye të tij, një njeri që është hajdut. Prandaj kjo është një çështje që nga sot, i kalon në shqyrtim Drejtësisë. Drejtësia duhet dhe ka përgjegjësi kushtetuese, ligjore, ose të vërtetojë akuzat dhe të identifikojë Presidentin e Republikës si hajdut dhe ta dënojë, në bazë të krimit që ka kryer, ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin”.

Kreu i shtetit e konsideroi sulm të dhunshëm nga institucioneve kushtetuese protestën e një dite më parë të Bashkisë së Tiranës dhe disa deputetëve të Partisë Socialiste, ndaj Gjykatës Administrative të Apelit, për të cilën i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimet.

“Ishte një sulm i dhunshën, terrorizues, ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ndaj gjyqtarëve në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese. E dënoj me ashpërsinë më të madhe. Jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, i instrumentalizuar politikisht, por dhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur, kushtetues. I kërkoj Kryeministrit të vendit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të hapë dhe të nisë hetimet për dhunën e ushtruar ditën e djeshme ndaj Gjykatës. I kërkoj të gjithë gjyqtarëve të Republikës, gjyqtarëve të ndershëm, që të marrin kurajo dhe të mbrojnë Republikën. Mbrojtja e Republikës është përgjëgjësi themelore, e institucioneve të pavarura kushtetuese të vendit, në një demokraci që funksionon”.

Pavarësisht kësaj, Nishani theksoi nevojën e Reformës në Drejtësi, për të larguar sa më parë nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar apo të shantazhueshëm.

Erjon Todhe/Tv Klan






Të ngjashme