Tre drejtorët e ARRSH në gjykatë, hetimet vazhdojnë për drejtorin Dashamir Xhika
Skandali me sigurinë në autostradën Plepa – Golem do të ccojë të dielën në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë tre drejtore të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Drejtori juridik Dritan Fejzo, Drejtori i sigurisë rrugore Lek Tushaj dhe drejtori rajonal i Autoritetit Rrugor të Tiranës, Bib Gjomakaj u arrestuan me urdhër të prokurorisë së Kavajës, si përgjegjës për mosvendosjen e parmakëve mbrojtes në vendin ku një javë më parë, në një aksident rrugor humbën jetën dy fëmijë.
Prokuroria e Kavajës thotë se “pasojat e aksidentit rrugor do të ishin më të vogla, nëse siguria rrugore e aksit ku ka ndodhur ngjarja do të ishte më e lartë.
Drejtuesit e këtij institucioni, sipas prokurorisë, nuk kanë zbatuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, dhënë me 1 Korrik të vitit 2014, për vendosjen e parmakëve mbrojtës në vendin e aksidentit.
Vendimi i gjykatës u dha pas nisjes së procesit nga kompania PIENVIS, e cila kundërshtonte vendosjen e parmakëve, për shkak se pengonin daljen e një karburanti të saj në autostrade, në vendin ku ndodhi aksidenti.
Ky vendim i formës së prerë jo vetëm nuk u zbatua, por një vit pas dhënies së tij, Autoriteti Rrugor Shqiptar i jep të njëjtës kompani një tender për mirëmbajtjen dhe vendosjen e parmakeve në të njëjtin segment.
PIENVIS ishte kompania e dytë me ofertën më të mirë. Kompania me ofertën më të ulët, NIKA, është skualifikuar për shkak se nuk ka paraqitur dokumentacion që verteton që ka në pronësi ose me qera mjete për vendosje parmakësh metalike dhe për vijëzim me bojë, siç rezulton në dokumentat e tenderit.
Pronari i PIENVIS, Pilo Këri, në një reagim ndaj akuzave të opozitës se e ka fituar këtë tender për shkak se djali i tij është drejtor në Ministrinë e Transporteve të drejtuar nga Edmond Haxhinasto, sqaroi se e kishte marrë tenderin në bashkëpunim me një tjetër subjekt dhe se ai kishte vetëm 30 % të kontratës.
Organi i akuzës do të kërkojë mbajtjen në burg të 3 zyrtarëve të arrestuar, deri në përfundim të hetimeve. Por hetuesit dyshojnë se abuzimi shkon edhe më lart në kupolen drejtuese të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe laku po ngushtohet rreth kreun e tij, Dashamir Xhika.
Për këtë arsye po kryhen hetime edhe në lidhje me përgjegjesinë e tij ligjore në skandalin e moszbatimit të vendimit të formës së prerë të gjykatës për dy vjet me radhë, çka cënoi sigurinë rrugore dhe çoi në humbjen e jetëve të dy fëmijëve të pafajshëm.
Ky nuk është rasti i vetëm ku Dashamir Xhika hetohet për cënim të sigurisë rrugore me ndërgjegje. Për të njëjtën rrugë, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar penalisht, pasi në kundërshtim me ligjin dhe me qëllim favorizimin e firmave private, ka pranuar kërkesën e tyre për ndryshimin e tipit të parmakeve dhe uljen e lartësisë së tyre në autostradën Plepa – Kavajë – Rrogozhinë. KLSH thotë se vetëm për periudhën janar 2014 – shtator 2015 abuzimet e Xhikës i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dem prej 4.5 milionë eurosh.
TV Klan