PD: Tahiri ndihmoi në arratisjen e Balilit


PD: Tahiri ndihmoi në arratisjen e Balilit

10:28 15/05/2016

Partia Demokratike i qëndron bindjes se Klemend Balili është arratisur jashtë vendit, ndonëse policia mohoi që Drejtori i shkarkuar i Transporteve të Sarandës, të ketë shkelur kufirin, bazuar në të dhënat e sistemit TIMS.

Selia blu akuzon drejtëpërdrejtë Ministrin e Brendshëm, se ka favorizuar largimin e Balilit jashtë vendit, i detyruar nga lidhjet e tij me rrjetin e narkotrafikut.

“Kur nuk ia doli dot t’i siguronte pafajsinë Balilajt, Saimir Tahiri i krijoi kushtet dhe i dha kohë për t’u arratisur vetëm pak para se t’i dërgonte policinë të fshinte provat, siç e ka tashmë zakon. Pas kësaj, Tahiri vrapoi t’u thoshte mediave se në sistemin TIMS nuk rezulton që Balilaj të ketë dalë jashtë vendit. Por a nuk tha të njëjtën gjë edhe për Arben Frrokun?”.

Klemend Balili rezulton i zhdukur që prej së premtes, ditë kur policia e Sarandës, pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij nuk ka mund të gjejë asnjë gjurmë të ish – Kreut të Transporteve, pranë këtij qyteti.

Një ditë më parë, ish–Kryeministri Berisha denoncoi largimin e Balilit drejt Kubës, ndërsa në një tjetër postim thotë se Balili në fund të viti të kaluar, shoqëroi Kryeministrin Rama në Rodos, ku sipas tij, u takua me disa bosë droge të zonës.

Jolldiz Mitro/Tv Klan






Të ngjashme