Në familjen Negollari pas humbjes së fëmijëve
Një javë më parë, një aksident në aksin Kavajë–Rrogozhinë ku humbën jetën dy fëmijë të vegjël 5 dhe 3 vjeç tronditi opinionin publik. Ata udhëtonin në makinë me nënën për në burgun e Rogozhinës për të takuar pas 4 muajsh babain e tyre. Por përplasja me barrierrën e ndërprerë, ndërpreu në mes rrugën e Alices dhe Dritanit të vogël. Për herë të parë nga tragjedia, babai i tyre Sokol Negollari ka rrëfyer për portalin dritare.net momentin e aksidentit.
Sokoli:
“Silva ka humbur kontrollin e makinës dhe makina është përplasur me trafikndarësen që ishte me llamarina. Por ajo nuk ishte shpejt, pasi në autostradën ku lejohet me 100km/h, ajo ishte vetëm me 60km/h.”
Për fajtorë Sokoli nuk do të flasë, pasi siç thotë ai, jeta e fëmijëve të tij nuk ka çmim.
Sokoli:
“Nuk kam çfarë të them, mua fëmijët më ikën. Nuk dua t’ia vë fajin askujt, madje as nuk dua të flas për arrestimin tim, për ndërtimin pa leje. Nuk m’i kthen kush dy fëmijët e mi, çfarëdo të them”.
Edhe Silva, nëna e fëmijëve bën tashmë një jetë të vështirë me brengën e asaj të shtune.
Silva:
“Më dhemb kraharori, pasi më kapi pjesa e timonit, por asgjë nuk më dhemb sa zemra”.
Ndërsa gjyshja e shtëpisë, thotë se faji në Shqipëri mbetet gjithmonë jetim dhe se të varfrit nuk marrin asnjëherë drejtësi.
Gjyshja:
“Nuk them dot se i kujt ishte faji, pasi faji është jetim, gjithmonë, sidomos për njerëz të thjeshtë, siç jemi ne. Por pse shkojnë e burgosin një njeri që vetëm donte të ndërtonte çatinë e shtëpisë? Pse nuk kujdesen më parë për rrugët? Por duhej të vdisnin nipi e mbesa ime që të nisnin punimet për t’u rregulluar. Tani për ne nuk ka më ngushëllim dhe gishti mbi fajtorë, nuk ka vlerë.”
Tv Klan