“Pajisja e përgjimit”, dëshmojnë në parlament kreu i SHISH, Ministri Tahiri, Kryeprokurori e kreu i Policisë


“Pajisja e përgjimit”, dëshmojnë në parlament kreu i SHISH, Ministri Tahiri, Kryeprokurori e kreu i Policisë

15:20 18/05/2016

I thirrur në seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika tha se, dy muaj më parë, pasi ka marrë informacion nga një burim, të cilin nuk e bëri publik, ka njoftuar menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm, për një paisje përgjimi në territorin e Shqipërisë, që mund të përmbënte rrezik kombëtar.

visho

“U informuam që ajo paisje ishte vendosur në Vlorë, për trajnim. Ashtu siç na u tha neve, ishte një paisje e cila nuk ishte deklaruar e hyrë brenda. I shqetësuar që një pajisje e tillë mund të shfrytëzohej edhe në mënyrë ilegjitime, kontaktova me Prokurorin e Përgjithshëm dhe i raportova për informacionin që ne kishim marrë. Gojarisht kam folur me Prokurorin e Përgjithshëm, sepse edhe informacioni më është dhënë gojarisht. Pas kësaj jam thërritur nga Presidenti i Republikës. Duke informuar Prokurorin e Përgjithshëm, i cili është personi përgjegjës për të gjitha përgjimet në këtë vend, unë besoj se e kryeva detyrën time. Ai ishte një informacion i pa konfirmuar dhe si i tillë, nuk mund të shkonte direkt tek Kryeministri. Për asnjë arsye, për asnjë moment ne nuk jemi interesuar të dimë sesi është përdorur kjo paisje, pasi nuk është në targetin tonë. Nuk kemi asnjë informacion lidhur se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar. Kjo është një pajisje e domosdoshme, për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, pra ne do të ishim të priviligjuar po ta kishim një pajisje të tillë. Këto janë pajisje mjaft të fuqishme, bëjnë çdo gjë. Varet nga konfiguracioni".

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako mohoi lajmin se pajisja disponohej nga Policia e Shtetit, duke thënë se organi i Policisë, përdor vetëm mjete të miratuara me ligj.

cako

“Gjatë gjithë veprimtarisë së saj, Policia e Shtetit, nuk ka pasur, nuk ka dhe bazuar në ligj nuk të ketë pajisje përgjimi. Nuk ka kryer dhe nuk kryen përgjim të telekomunikimit”.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, sqaroi se pajisja është në pronësi të Interforcës italiane dhe është përdorur për trajnimin e Policisë Shqiptare.

tahiri

“Policia e Shtetit, nga dita e parë që unë jam në detyrë, e deri ditën e fundit që do të jem në këtë detyrë, nuk ka shkelur dhe nuk do të shkelë ligjin, veçanërisht në çështje sensitive siç janë çështja e përdorimit të pajisjeve që mund të bëjnë përgjim. Për hir të trajnimeve dhe të bashkëpunimit me partnerët, përdor çdo pajisje që është e ligjshme. Policia e Shtetit disponon një pajisje, funksioni i të cilës dihet, e cila është në pronë, menaxhim, disponim, përdorim nga partnerët italianë. Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka, nuk ka mundësi, të ketë një pajisje të tillë. Unë kam thënë, është një pajisje trajnuese dhe mësimore që nuk bën përgjim”.

Raportimi i Ministrit para Komisionit është shoqëruar nga momente tensioni.

I fundit që ka raportuar përpara Komisionit, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla tha se hetimi ka nisur prej 5 ditësh dhe se deri më tani nuk ka hasur pengesa nga asnjë institucion.

llall

“Ka vetëm 5 ditë që ka filluar, më datë 13 ka filluar si hetim. Brenda këtyre ditëve Prokuroria ka kryer një sërë veprimesh të rëndësishme hetimore. Nëse Prokuroria do të hasë pengesa nga zyrtarë të ndryshëm, apo subjekte të tjera të ligjit,  që pengojnë kryerjen e veprimeve hetimore, i ka të gjitha mundësitë të fillojë hetimet për cilindo zyrtar”.

Tv Klan





Të ngjashme