Mister shkaku i rrezimit të avionit
Mbetet ende mister shkaku i rrëzimit të avionit Airbus A320 të kompanisë “EgyptAir” në ujërat e detit Mesdhe, i cili flutorinte nga Parisi drejt Kajros me 66 persona në bord.
Ministri egjiptian i aviacionit civil deklaroi se pista e një sulmi terrorist është më e mundshme, se ajo e një defekti teknik. Ndërsa mediat italiane, që citojnjë burime zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruajnë se avioni është rrëzuar nga shpërthimi i një bombe në bordin e tij.
Hipoteza e një atentati terrorist nuk u përjashtua as nga Presidenti francez Fronsua Holond dhe nga kryeministri egjiptian Sherif Ismail.
Sipas ushtrisë greke, disa pjesë të avionit janë gjetur në Detin Mesdhe, pranë ishullit të Kretës.
Më herët, ministri grek i mbrojtjes, Panos Kammenos tha se avioni A320 kishte bërë manovra të çuditshme përpara se të humbte gjurmët. Operacioni për gjetjen e trupave dhe kutisë së zezë të avionit po kryet nga ushtria egjiptiane, ajo greke dhe franceze rreth 280 km nga ishulli grek Karpathos.
Në të njëjtën zonë ku kapiteni i një anijeje mallrash tha se kishte parë flakë në qiell.
Avioni Airbus A320 u zhduk nga radarët pak pasi kishte hyrë në hapsirën ajrore egjiptiane. Në bord gjendeshin 56 pasagjerë, pjesa më e madhe egjiptianë e francezë, dhe 10 pjesëtarë të stafit.
Tv Klan