De Biasi kërkon ekipin e kualifikueseve
Gianni De Biasi do të publikojë të shtunën listën e futbollistëve, që do të grumbullohen për fazën e shkurtër përgatitore para finaleve të Euro 2016.
Shqipëria është debutuese në një turne të këtij niveli dhe trajneri i Kombëtares, i ftuar në studion e “Sky Sport” për finalen e Europa League, tregoi pritshmëritë me skuadrën kuqezi.
Gianni De Biasi – Trajner i Kombëtares:
“Objektivi ynë i sigurtë është që nuk do të shkojmë për pushime, por të tregojmë në fushë atë që patë në fazën kualifikuese edhe pse jemi në një grup të vështirë. Pra duhet të jemi një ekip i kujdesshëm dhe i gatshëm për çdo të papritur”.
Gianni De Biasi ishte përfolur si një ndër kandidatët pasardhës i Antonio Conte tek Italia, por mediat vendase së fundi shkruajnë se Giampiero Ventura do të mbulojë këtë rol.
Vetë De Biasi, pasi u shpreh i gëzuar për një interesim të tillë, tha se zgjedhja e Ventura duket e drejtë, duke i uruar sukses.
Të dy mund të jenë rivalë në kualifikueset e Kupës së Botës 2018, pasi Shqipëria dhe Italia janë në të njëjtin grup, gjithmonë nëse gjërat nuk ndryshojnë.
Tv Klan