Gjenden mbetje nga rrëzimi i avionit në Mesdhe
Zyrtarët egjiptianë kanë pohuar se kanë gjetur mbetje të avionit të kompanisë ajrore “EgyptAir”, të zhdukur një ditë më parë mbi Detin Mesdhe.
Ata thanë se pranë ishullit grek Karpathos janë gjetur materiale të cilat dyshohet se i përkasin rrënojave të avionit të humbur, si jelekë shpëtimi dhe materiale të tjera plastike.
Ministria e Aviacionit Civil e Egjiptit, tha se është duke punuar me homologët e saj grekë për të shqyrtuar mbi mbetjet e gjetura.
Autoritetet greke kanë informuar ambasadën egjiptiane në Athinë për mbetjet bardhë e blu të cilat dyshohen se korrespondojnë pikërisht edhe me ngjyrën e avionit “EgyptAir”.
Avioni i cili humbi nga radarët një ditë më parë udhëtonte nga Parisi drejt Kajros me 66 persona në bord, mes tyre edhe 3 fëmijë.
Ministri egjiptian i aviacionit tha se rrëzimi i avionit të kompanisë “Egyptair”ka më shumë gjasa të jetë shkaktuar nga një sulm terrorist se sa nga një defekt teknik.
Ndërsa Presidenti francez, François Hollande u tha gazetarëve në Paris se asnjë hipotezë nuk përjashtohet lidhur me shkaqet e rrëzimit.
Ndërkohë, të afërmit e personave që ndodheshin në bord u mblodhën në aeroport, në pritje të lajmeve për njerëzit e tyre.
Kompania “Egyptair” tha se e kishte humbur kontaktin me avionin Airbus rreth orës 02:30 të mëngjesit, kur ai ishte në një lartësi prej rreth 11.300 metra dhe vetëm 16 kilometra brenda hapësirës ajrore egjiptiane.
Ministri grek i mbrojtjes Panos Kamennos tha se avioni bëri kthesa të papritura dhe një rënie të shpejtë para zhdukjes nga radari.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault tha se Franca do të kontribuojë në kërkime me avionë dhe me anije dhe se po mbahen kontakte të afërta me autoritetet egjiptiane.
“Jemi në dispozicion të familjeve, kjo është përparësia jonë… prandaj dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet egjiptiane”
, – tha ai në një konferencë shtypi në Paris. Ministrat e Jashtëm francez dhe egjiptian shkëmbyen ngushëllime lidhur me incidentin.
/tvklan.al