Prokuroria çon për gjykim babain e Deputetit Prenga


Prokuroria çon për gjykim babain e Deputetit Prenga

17:18 20/05/2016

Babai i Deputetit Armando Prenga është dërguar për gjykim nga Prokuroria, pasi të gjithë biznesin privat të familjes e ka ndërtuar në një truall nëpërmjet dokumentave të falsifikura.

Prokuroria e Kurbinit e akuzon Ndue Prengën se, nëpërmjet falsifikimit të katër dokumenteve, ka ndërtuar dhe ka kërkuar regjistrimin në Hipotekë të një lokali dy katësh, në qytetin e Laçit.

Prokuroria e Kurbinit ka nisur hetimin, në bazë të kallëzimit të personave që pretendojnë se janë trashëgimtarë të ligjshëm të truallit, në të cilin është ndërtuar biznesi privat i familjes Prenga.

Nga hetimi ka rezultuar se, Ndue Prenga, në vitin 2014 i është drejtuar gjykatës me një padi civile, në bazë të të cilës kërkon njohjen e pronësisë së truallit, ku është ndërtuar lokali, me pretendimin se kjo hapësirë është pronë shtet dhe e posedon atë që prej vitit 1992.

Në procesin gjyqësor janë deklaruar si palë edhe anëtarët e familjes Nokaj, e cila pretendon se është trashëgimtare e ligjshme e truallit, ku është ndërtuar lokali.

Përfaqësuesit e familjes Nokaj, me aktet e paraqitura nga i pandehuri Prenga, kanë paraqitur kallëzim në Prokurorinë, duke deklaruar se janë dokumenta të falsifikuar.

Prokuroria e Kurbinit ka zhvilluar hetimin, në bazë të të cilave ka rezultuar e provuar me aktin e ekspertimit se, dokumentat e paraqitura në procesin civil nga ana e shtetasit Ndue Prenga, janë tërësisht të falsifikuara.

Falsifikimi i dokumentave të mësipërme është realizuar nëpërmjet fotokopjimit të tyre me anën e fotokopjes me ngjyra. /tvklan.al






Të ngjashme