STOP/Emërohet nga DAR, mësuesja zëvendësohet nga Bashkia


STOP/Emërohet nga DAR, mësuesja zëvendësohet nga Bashkia

21:38 20/05/2016

Një përplasje e pazakontë mes Drejtorisë Arsimore të Durrësit dhe Bashkisë së këtij qyteti, i ka kushtuar vendin e punës një mësuesje në sistemin parashkollor.

Është ky denoncimi i radhës në emisionin investigativ “STOP”, të një zonje nga Durrësi, e cila pasi është shpallur fituese në portalin “Mësues për Shqipërinë” është emëruar mësuese në një fshat të Durrësit nga institucioni i DAR.

Por siç tregon edhe vetë Elvira Muçka, vetëm pak muaj më vonë, ajo është zëvendësuar nga një tjetër mësuese, me urdhër të Bashkisë së Durrësit, ndonëse kjo e fundit nuk ka kompetencën për ta bërë një gjë të tillë.

elvira

Elvira Muçka:

“Quhem Elvira Muçka dhe vij nga qyteti i Durrës. Kam mbaruar shkollën e lartë në degën Parashkollor, në qytetin e Korçës. Para disa kohës kam punuar mësuese në Kolegjin “Turgut Ozal” dhe më 19 Dhjetor të 2015 – ës kam aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” në profilin Parashkollor. Nga lista e portalit kam dalë në vendin e tretë dhe më është propozuar një vend punë në qytetin e Durrësit në një fshat, i cili quhet Shkafanë. Kam filluar punë me vendim të Drejtorisë Arsimore, më datë 21/03/2016 në Shkollën 9 – vjeçare Xhelal Shtufi. Pas disa kohësh, në muajin Prill, më vjen Drejtori dhe më thotë që, me po të njëjtin vendim, por nga Bashkia, është paraqitur edhe një zonjë tjetër, e cila thotë se ti duhet të lirosh vendin e punës. Që do të thotë se, unë nuk di se ku duhet ta kërkoj të drejtën time. Në Drejtorinë Arsimore në Durrës apo në Bashki?”

Në përpjekje për t’i dhënë një përgjigje pyetjes së ngritur nga Elvira, gazetari i “STOP” pyeti Drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore të Durrësit, Lindita Mukaj, e cila u shpreh se Bashkia nuk ka asnjë të drejtë të emërojë apo të shkarkojë nga detyra mësues.

drejtoresha

Lindita Mukaj – Drejtoreshë e DAR Durrës:

“Është e vërtetë, pasi jemi duke e ndjekur rastin në fjalë, jo vetëm të zonjës Muçka, por edhe të dy punonjëseve të tjera, të cilat janë të renditura në treshen e parë fituese të portalit “Mësues për Shqipërinë”, për Parashkollor. Është e vërtetë që pas emërimit, të kryer konform të gjitha rregullave, që përmban Udhëzimi 38 dhe çdo akt ligjor apo nënligjor që është në fuqi, miratuar nga MAS, është zbatuar me përpikmëri. Është paraqitur në shkollën, e cila të përmbajtje të saj, përveç arsimit ka edhe Parashkollorin, është punësuar dhe në ditët në vijim, një emërim paralel ka ardhur edhe nga Bashkia Durrës. Domethënë, mbështetur në ligj, aktet ligjore dhe nënligjore dhe çdo gjë tjetër që mund të kemi në dispozicion të këtij institucioni, në të gjitha rastet edhe nëse i shfletoni, nuk thuhet asgjëkundi apo të nënvizohet që, të drejtën për të emëruar e ka Njësia Vendore. Përkundrazi, thuhet se as Drejtori i DAR, por Drejtori i institucionit Arsimor, që do të thotë Drejtori i Shkollës. Dua të nënvizoj që, personat të cilët janë nga Njësia Vendore, nuk janë pjesë e portalit dhe për më tepër, nuk dihet as se çfarë arsimi kanë. ”

Pas përgjigjes së Drejtoreshës së DAR, stafi i “STOP” trokiti në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, Vangjush Dako.

Kryebashkiaku pranoi se kishte një keqkuptim të ligjit në fjalë dhe tha se Elvira, do të rikthehet në punë.

dako

Gazetari: Jemi këtu për një ngërç që është krijuar midis Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Arsimit dhe DAR –it Durrës. Bëhet fjalë për një mësuese në Parashkollor, Elvira Muçka, e cila ka marrë një vendim nga Drejtori i institucionit. Kemi vendimin nga Drejtoria Arsimore e Durrësit. Kemi një procesverbal që i jep miratimin zonjës në fjalë për fillimin e punës dhe sëfundmi kemi dhe një vendim nga Bashkia e Durrësit që mban firmën tuaj, ku referohet edhe ligjit 69, që ky ligj nuk ka hyrë akoma në fuqi.

Vangjush Dako - Kryetar i Bashkisë së Durrësit:

“Ligji për Decentralizimin, nuk është përfunduar i tëri, me gjithë aktet nënligjore dhe kjo ka krijuar një mospërputhje të emërimeve të mësuesëve të Kopshteve. Ky ka qenë rasti i parë. Ne jemi duke e parë, bashkë me specialistët tanë të Burimeve Njerëzore dhe ata të Ministrisë së Arsimit për ta rakorduar dhe për ta zgjidhur përfundimisht këtë anomali që është krijuar në ligj.”

Në rastin në fjalë, mund të na jepni një afat kohor se kur mund të shkojë sërish në vendin e punës, të cilin e ka fituar nga portali, ka emërimet përkatëse nga institucionet. Do të kemi një përgjigje nga Bashkia e Durrësit?

“Do të interesohemi për këtë rast, sepse ndoshta është rasti i parë dhe do të marrim një përgjigje. Do të emërohet ajo si mësuese".

/tvklan.al





Të ngjashme