De Biasi publikon listën paraprake të “Euro 2016”. Mungojnë Salihi dhe Meha
Gianni De Biasi bëri të ditur 27 emrat e lojtarëve që do të grumbullohen në kampin stërvitor në Austri. Mes kandidatëve për të qenë muajin e ardhshëm në Francë mungojnë emra si Alban Meha apo Hamdi Salihi. De Biasi ka preferuar Milot Rashicën në vend të Rei Manajt mes të rinjve. Trajneri dha sqarimin e tij për këto zgjedhje.
Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares:Këta janë lojtarët më të rëndësishëm për mua për të bërë skuadër. Si unë dhe lojtarët duhet të jemi të vetëdijshëm, që mund të jetë e vetmja mundësi për shumë nga ne.
De Biasi pranoi se jo të gjithë morën ngarkesën e duhur gjatë sezonit, por do t’i shikojë prej të hënës se si është gjendja e tyre fizike. Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares:Me disa lojtarë nuk jam i kënaqur dhe duhet të shikojmë në aspektin fizik. Miqësoret na duhen për pjesën taktike veçanërisht ajo me Ukrainën.
Trajneri pranoi se Taulant Xhaka ka patur përmirësime të dukshme këto ditë dhe beson se do të jetë i gatshëm. Shqipëria është një ekip debutues në një fazë finale Europiani dhe objektivat janë modestë, por vetë Gianni De Biasi nuk ngurron të bëjë shaka me synimet. Gianni De Biasi, trajner i Kombëtares:Objektivi ynë të shkojmë në gjysmëfinale.
Gianni De Biasi duhet të bëtë të ditur brenda majit listën përfundimtare me 23 lojtarë, ndërsa të tjerët janë në pritje deri në ditën kur të nisë aktiviteti. Shqipëria është pjesë e Grupit A së bashku me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Portierë: Berisha, Hoxha, Shehi. Mbrojtës: Ajeti, Aliji, Gjimishiti, Mavraj, Cana, Agolli, Rrahmani, Hysaj dhe Veseli. Mesfushorë: Memushaj, Kaçe, Lila, Basha, Xhaka, Roshi, Kukeli, Lenjani, Shala, Abrashi. Sulmues: Bala, Çikalleshi, Sadiku, Rashica dhe Gashi. Tv Klan