KQZ hetime për të zgjedhurit që kanë ndryshuar emrat
Të gjithë ata deputetë apo kryebashkiakët që kanë deklaruar në formularët për dekriminalzimin më shumë se një emër, apo nuk kanë saktësuar llojin e veprës penale, si dhe vendin apo vitin e ndalimit nga organet ligjzbatuese vendase e të huaja, do të jenë objekt i verifikimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në listën e gjatë të të zgjedhurve që rezultojnë me më shumë se një emër, rekord mban Kryebashkiaku i Kurbinit, Artur Bardhi , i cili rezulton me katër të tillë. Më parë ai ka mbajtur emrat Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi.
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi deri në vitin 2002 ka mbajtur emrin Ervin Roshi.
Një tjetër kryebashkiak, ai i Hasit, Adem Lala, më parë është quajtur Dem Lala.
I njëjti fenomen vërehet edhe në listën e deputetëve. Armando Prenga në formularin e tij të vetdeklarimit thotë se ka përdorur në të shkuarën edhe emrin Mondi.
Deputet i Partisë Socialiste në Korçë, Ilir Xhakolli, më parë thotë se ka mbajtur emrin Ilirjan.
Fatmir Mediu po ashtu figuron të ketë ndryshuar mbiemrin, dhe më parë është Fatmir Mehdihoxha.
Deputeti I LSI-së në Fier, Robert Bitri në formularin e tij te vetdeklarimit thotë se ka përdorur në të shkuarën edhe emrin Albert.
Një tjetër deputet I LSI-së, Shkëlqim Selami, po ashtu ka ndryshuar mbiemrin, që më parë e ka pasur Selamemini.
Kreu I demokaristianëve, Nard Ndoka, deklaron se më herët ka mbajtur emrin Mark Ndokaj.
Në listën me më shumë se një emër figuron edhe kryeministri Rama. Sipas formularit të vetëdeklarimit në KQZ, deri në vitin 2002 kreu i qeverisë rezulton të ketë mbajtur emrin Edvin.
Komisioni Qendror të Zgjedhjeve do t’i duhet të verifikojë ndryshimet e gjeneraliteteve të deputetëve dhe të zgjedhurve bashkiakë dhe në rast se rezulton se ky ndryshim ka ardhur si pasojë e kryerjes së ndonjë një vepre penale për të cilën janë dënuar nga organet ligjzbatuese, atëherë këtyre të zgjedhurve u ndërpritet mandati.
Tv Klan