Lirohet nga burgu i Shënkollit kosovari i dënuar me 20 vjet burg për vrasje
Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet, pasi administrata e burgut në Shënkoll, liroi nga qelia në Nëntor të vitit 2015 një të dënuar në Kosovë, me 20 vjet burg, për akuzën e vrasjes.
Shuaip Zukaj, i njohur ndryshe edhe me emrin Shaban Zukaj, nga Deçani i Kosovës, është liruar nga burgu i Lezhës me të mbaruar dënimin e marrë në Shqipëri, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Edhe pse ndaj tij kishte një vendim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata, që me përfundimin e dënimit duhej të ekstradohej në Kosovë, administrata e burgut e ka lënë atë të lirë.
Burime zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë, thanë për Televizionin Klan se, Prokuroria e Lezhës ka nisur menjëherë hetimet, pasi dyshon se ai është liruar jashtë çdo procedurë ligjore.
Për çështjen ka nisur edhe një hetim nga Kontrrolli i Brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Burgjeve tha se lirimi i shtetasit në fjlaë është bërë me plotësim kohe, pasi nuk ka patur një masë sigurimi tjetër ndaj tij, duke vepruar kështu plotësisht në përputhje me vendimin ekzistues të gjykatës.
Shaban Zukaj, në vitin 2000, në Shëngjin të Lezhës ka qëlluar me armë një shtetas kosovar për hakmarrje. Fatmirësisht ai ka shpëtuar, por Zukaj është larguar për t’iu shmangur drejtësisë, e cila e ka hetuar e gjykuar në mungesë, ku përfundimisht e ka dënuar me 15 vjet burg.
Gjatë kohës së arratisjes, më 1 Shtator të vitit 2011, ai ka vrarë në Kosovë, Zyber Derishajn dhe ka plagosur Adil Thaçin.
Pas kësaj, Zukaj është larguar në drejtim të Belgjikës, ku ka ndërruar edhe identitet.
Për llogari të dënimit në Shqipëri, Zukaj është arrestuar në vitin 2012 në Belgjikë dhe më pas është ekstraduar në Shqipëri, ku edhe ka vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë. Ngjarja ka xtitur edhe reagimin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve:
Me anë të një reagimi për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se:
Në dosjen e të dënuarit nuk ka ekzistuar një vendim me masë sigurie për estradim në Kosovë në përfundim të dënimit të parë. Shtetasi Zukaj ishte ekstraduar nga Belgjika për llogari të drejtësisë shqiptare në vitin 2012, pasi më parë, ai ishte dënuar në mungesë në vitin 1999, për veprat 76/2 dhe 278/4 të parashikuara nga Kodi Penal. Më pas, në vitin 2014, kur ka bërë kërkesë për rivendosje në afat, ai është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, me anë të vendimit nr. 155. Shtetasi ka përfituar ulje dënimi me vendime gjykate dhe nga amnistia. Lirimi i tij është bërë me plotësim kohe, pasi nuk ka patur një masë sigurimi tjetër ndaj tij, duke vepruar kështu plotësisht në përputhje me vendimin ekzistues të gjykatës.
Tv Klan