Beogradi kushtëzon marrëveshjet për krijimin e Asociacionit
Autoritetet në Beograd kanë këmbëngulur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe jo duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.
Marrëveshja e arritur më 25 Gusht të vitit të kaluar, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, parasheh që Asociacioni të ketë një shkallë autonomie në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit urban e rural.
Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, për ka thënë për Radio Evropa e Lirë se Asociacioni, siç e parasheh Prishtina, nuk i kontribuon bashkësisë serbe në Kosovë.
“Neve nuk na intereson nëse Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Asoaciacioni duhet të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Beogradit i është thënë se Asociacioni nuk do t’i ketë kompetencat, për të cilat është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit, por se Prishtina do të bëjë përpjekje t’i reduktojë ato përgjegjësi, në mënyrë që Asociacionin ta shndërrojë në diçka që, në asnjë mënyrë, nuk mund t’i kontribuojë përmirësimit të pozitës së popullit serb (v.j. në Kosovë) dhe perspektivës së tij më të mirë”
, ka thënë Drecun.
Por, autoritetet në Prishtinë thonë se ky mekanizëm do të krijohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në Dhjetor të vitit të kaluar, kjo Gjykatë ka konstatuar se një pjesë e Marrëveshjes së 25 Gushtit për Asociacionin nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ka kërkuar që bazë për themelimin e tij të merret Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e arritur në prill të vitit 2013.
Vendimi i Gjykatës ka pasuar kërkesën e presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, për të bërë vlerësimin e përputhshmërisë së Asociacionit me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian insistojnë në qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian./tvklan.al