Kalonte ilegalisht persona në zonën “Schengen”, pranga 50-vjeçarit
Një person i cili u mundësonte kalimin në mënyrë të paligjshme personave që kishin probleme në zonën “Schengen” është arrestuar nga policia. Policia e Durrësit ka vënë në pranga 50-vjeçarin Halil Bafti, banues në Fushë-Krujë.
Pas një hetimi proaktiv 3-mujor është finalizuar operacioni i koduar “Schengen” ku është bërë i mundur ndalimi i Baftit. Ky i fundit gjatë kësaj periudhe u ka mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të rreth 100 personave, me probleme në zonën Schengen, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të Kosovës në drejtim të Gjermanisë, me qëllim fitimin e statusit të azilkërkuesit, kundrejt shumës 500 – 3 000 €.
Në ngarkim të Baftit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndërkohë vijojnë hetimet e mëtejshme për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme./tvklan.al