Prokuroria pyet vajzën që filmoi Shukri Xhelilin
21-vjeçarja që filmoi ish-Kryetarin e Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili është marrë në pyetje në Prokurorinë për Krimet e Rënda.
Gjatë seancës së pyetjeve ajo është shoqëruar nga e ëma. Vajza u ka thënë prokurorëve se videon e bëri për shkak të bezdisjes që Xhelili i krijonte, pasi i kërkonte herë pas here të takoheshin.
Ajo ka vazhduar më tej se xhirimin e ka bërë me celularin e saj dhe më pas kartën e memories e ka dorëzuar në media. Ndërkohë avokati mbrojtës i ish-kryebashkiakut ka apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e cila e la në burg.
Në ditët në vijim pritet që prokurorët e Krimeve të Rënda të marrin në pyetje Shukri Xhelilin, i cili në deklarimet e tij të para në polici ka sqaruar se kjo histori është shantazh politik.
Tv Klan