Flet e veja e Petrit Nikollit: Bashkëshortin e kërcënuan me vdekje kur mori mbesën
“
Urrejtje është ajo që ndjej për të tre. Vranë një person pa asnjë arsye”
Do t’i donit të vdekur?
“Nuk do të doja që t’i vrisja por nuk duhet të dalin nga burgu, duhet të kalben aty”
Kështu nis intervista e Ermelinda Fushës, bashkëshortes së hidraulikut shqiptar të vrarë me gjakftohtësi më 25 Maj në Rimini, përpara restoranit “Gente di Mare’.
Një intervistë e gjatë e dhënë për mediat italiane, ku tregon detaje në lidhje me vrasjen e bashkëshortit të saj.
Ajo tregon se vrasja e tij nuk ishte një vrasje në gjaknxehtësi, por se të tre vrasësit kishin bërë një udhëtim të gjatë nga Milano, për të vrarë bashkëshortin e saj, Petritin.
Mes lotëve Ermelinda (Linda) Fusha-Nikolli, shpjegon se arsyeja e vrasjes së burrit të saj, ishte vetëm se kishte shpëtuar mbesën e tij që ishte skllavëruar nga martesa e saj në Milano, me Edmond Preçin.
Pyetjes se gazetares, se nëse bashkështorti i saj ishte vrarë sipas rregullave të Kanunit, ajo thonë:
«Nuk më intereson për Kanunin, unë mendoj si mendonte dhe im shoq. Ai kishte 20 vite në Itali dhe nuk besonte në këtë gjë».
Ajo shton se bashkëshorti i saj ishte krenar, që mbesa kishte vendosur të largohej nga familja dhe se donte që ajo të ishte shembull, për vajzën e tyre më të madhe, që një grua nuk duhet të jetë kurrë e nënshtruar.
Ermelinda ka treguar se Lekë Preçi dhe dy djemtë e tij, e kishin kërcënuar mbesën se nëse ikte, do ta vrisnin atë, të vëllain, babai dhe familjen e saj.
“Kishin kërcënuar me vdekje dhe burrin tim, kur mori mbesën të mërkurën”,
thotë ajo.
Ditën e ngjarjes, ajo e telefononte Petritin, por ai nuk përgjigjej.
“Në fund i telefonova babai dhe vëllait: “Petriti ka vdekur”, më thanë. Kam shkuar me vrap, sytë i kishte të mbyllura, mu duk sikur i hapi. Ishte akull, një infermiere më tha që ka vdekur”
Ajo tregon se që pas vdekjes së bashkëshortit nuk arrin më, të fusë asgjë në gojë dhe pse është shtatzënë, vetëm pak ujë dhe sheqer. Ndërsa fëmijëve të vegjël ende nuk i ka treguar për humbjen e të atit.
“
I kam dërguar tek kunata. I kam thënë që ka punime në shtëpi. Do t’i them një sëmundje, do ta mësojnë ngjarjen kur të rriten».