Vrasja në Valias edhe për kanabis, policia sekuestron 150 kubikë me bimë narkotike
150 kubikë kanabis sativa, që duken në këtë foto të siguruar nga Televizoni Klan, janë gjetur nga Policia e Tiranës pasditen e djeshme, në shtëpinë e vëllezërve Kallari, pak minuta pas ngjarjes së rëndë.
Pronësia mbi tokën dhe mosmarrëveshjet për mbjelljen e lëndës narkotike, mbrapa shtëpisë së përbashkët, janë shkaqet e konfliktit që çoi në vrasjen e Elmir Kallarit, nga vëllai i tij, Afrimi. Pas dorëzimit në polici, Afrim Kallari, me detyrë Inspektor i Zjarrëfikëses në Kombinat, është shfaqur i penduar dhe ka deklaruar se ngjarjen e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër, pas një inati të akumuluar me vëllain prej disa kohësh. 43 - vjeçari Kallari e qëlloi me armë gjahu vëllain. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe nëna e tyre, e cila po i ndante. Ngjarja e rëndë ndodhi në brendësi të godinave të Ekonomisë Didaktike të Universitetit Bujqësor të Kamzës, ku 36 - vjeçari Elmir Kallari punonte si roje. Tv Klan