Skënderbeu pezullohet nga UEFA
Skënderbeu pezullohet për 1 vit nga kupat e Europës nga Komisioni i Disiplinës së UEFA -s, me akuzën se janë përfshirë në trukime në ndeshje të kampionatit dhe aktivitetet ndërkombëtare.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj.
Ai tha për Televizionin Klan se do ta ankimojnë vendimin duke e ndjekur deri në fund, pasi nuk janë të përfshirë në asnjë çështje trukimesh.
Ky vendim jepet pak ditë para shortit të kupave të Europës. Kjo e pengon Skënderbeun që të marrë pjesë në turin e dytë të Champions League, që zhvillon ndeshjet në gjysmën e dytë të muajit Korrik.
Nëse Skënderbeu nuk merr pjesë në kupat e Europës atëherë në Champions League do të marrë pjesë Partizani dhe në Europa League kualifikohen Kukësi, Teuta dhe Tirana.
Vetë ekipi, në një reagim në faqen e tij zyrtare ka reaguar me anë të një deklarate ku e konsideron këtë vendim të padrejtë, ndërsa paralajmëron se do ta kundërshtojë në instancat më të larta.
“Ka mbërritur sot në zyrat e klubit KF Skënderbeu, vendim i UEFA-s, i cili ka pezulluar padrejtësisht ekipin e Skëndërbeut për një sezon (2016 -2017) nga Kupat e Europës.
Njoftojmë gjithë familjen bardhekuqe, që pavarësisht këtij vendimi, aspak te drejtë, aspak te provuar dhe argumentuar, të marrë në dëmin e klubit tonë, që ky vendim do të kundërshtohet në instancat më të larta.
Jemi të sigurtë që e drejta e mohuar në UEFA, do të fitohet në CAS nga klubi ynë.
Bëjme me dije të gjithë tifozerinë korçare, që ka nisur menjëherë përgatitja e dokumentacionit nga grupi i specializuar i avokatëve për ta paraqitur mbrojtjen e “KF Skënderbeu” në Gjykatën e Arbitrazhit në Luzanë.
Skëndërbeu është i qetë, nuk do të dorëzohet dhe sigurisht nuk do të heqë dorë nga e drejta absolute e mohuar padrejtësisht në mënyrën më flagrante. Sëbashku jemi më të fortë!”,
thuhet në reagimin e ekipit të Skënderbeut.
Tv Klan