Prokuroria: Policia mund të ketë kryer përgjime, pezullohet Haki Çako. Arrest shtëpie për dy zyrtarë të tjerë
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon. Ai konsiderohet si përgjegjës për administrimin në mënyrë të paligjshme të pajisjes së përgjimit “IMSI Catcher”
,
të futur në Shqipëri më 11 Mars të këtij viti nga autoritetet italiane.
Veç numrit një të Policisë, Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike, për Drejtorin e Forcave Operacionale, Artion Duka dhe Specialistin Entiol Xhelilaj, nën akuzën për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Prokuroria thotë se ka dyshime të forta se pajisja mund të jetë përdorur për të kryer përgjime të paligjshme.
“Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin nga aparati fundon, siç quhet celulari, në antenën ligjore, që janë antenat e kompanive celulare. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundorë që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”,
thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas Prokurorisë, aparati funksionon duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emëton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundorë nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë. Por Prokuroria thotë se, rezulton që në të paktën dy raste, ajo ka lëvizuar nga specialisti i Forcës Operacionale, Ention Xhelilaj.
Kur prokurorët kanë shkuar më 13 Maj për ta sekuestruar pajisjen që gjendej në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 10 mintua pas mbërritjes së tyre për të ekzekutuar urdhërin, mjeti që ka pajisjen e instaluar ka dalë nga ambientet e Policisë, nën drejtimin e Entiol Xhelilajt.
Prokuroria thotë se automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të Forcës Operacionale dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më.
Artion Duka, Drejtori i Forcave Operacionale, akuzohet se nuk ka marrë masa për siguruar që pajisja nuk do të përdorej për gjë tjetër veç trajnimit. Veç të tjerash, ai ka marrë përgjegjësinë për të deklaruar se nuk është kryer asnjë veprim i paligjshëm me pajisjen e përgjimit, në një kohë që nuk ka kryer asnjë hulumtim mbi këtë.
Për Ention Xhelilajn, specialist pranë Forcës Operacionale, Prokuroria thotë se ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen përgjuese pa asnjë urdhër me shkrim. Ai ka patur dijeni se nga ka hyrë mjeti, ku qëndronte ai, çfarë parametrash kishte dhe çfarë ushtrimesh janë kryer, në një kohë që nuk ka asnjë tagër ligjor për të qenë në dijeni të këtyre fakteve.
Por hetimet nuk përfundojnë këtu. Prokuroria e Tiranës thotë se dyshon se edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.
Organi i akuzës e nisi kryesisht hetimin në bazë të një të një materiali procedurial, sipas të cilit rezultonte se Policia e Shtetit kishte në dispozicion një pajisje përgjimi, që kishte hyrë në Shqipëri pa autorizimin përkatës dhe mund që mund të realizonte interceptime telefonike.
Prokuroria ishte vënë në dijeni të këtyre fakteve nga Shërbimi Informativ Shtetëror, siç deklaroi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, Drejtori i SHISH, Visho Ajazi Lika.
Tv Klan