“Romeo dhe Zhulieta” në versionin Ballkanas
Një teatër dy gjuhësh, në shqip dhe serbisht, “Romeo dhe Zhulieta”, historia e famshme e dy familjeve në konflikt e shkruar nga William Shakespeare, vjen edhe në Tiranë.
Një bashkëprodhim i veçantë në llojin e tij, mes “Qendrës Multimediale” në Prishtinë dhe “Punëtoria e Integrimit” në Beograd.
Me regji të një prej regjisorëve të rëndësishem të kinemasë dhe teatrit serb, Miki Manojlovic, “Romeo dhe Zhulieta” e Ballkanit, që bën bashkë serbët dhe shqiptarët e Kosovës, është triumfi i dashurisë dhe komunikimit mbi shekujsh urrejtjesh, ndarjesh dhe luftrash.
Romeo dhe familja e Montagueve janë shqiptarët, Zhulieta dhe familja e Capuletëve janë serbët. Lorenco, prifti që bekon lidhjen mes dy të dashuruarve është Uliks Fehmiu, djali i Bekim Fehmiut, aktori i njohur me origjinë shqiptare që karrierën e ndërtoi në Serbi.
Ky bashkëprodhim është prova se arti është mjet pajtimi dhe paqeje, atë që do të bëjnë në fund edhe personazhet e “Romeo dhe Zhulieta” në versionin ballkanas, në premierën e 8 dhe 9 Qershorit, në Teatrin Kombëtar.
Tv Klan