PD: I paprecedentë sulmi i Tahirit ndaj gjyqtarit. Unioni i Gjyqtarëve: Ministri në kufijtë e konsumimit të veprës penale


PD: I paprecedentë sulmi i Tahirit ndaj gjyqtarit. Unioni i Gjyqtarëve: Ministri në kufijtë e konsumimit të veprës penale

14:35 08/06/2016

Sulm të paprecendentë ndaj drejtësisë e ka cilësuar Partia Demokratike deklaratën e Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, për gjyqtarin që dha vendimin për pezullimin nga detyra të Haki Çakos.

Edi Paloka – Nënkryetar i PD -së: 

“Vreri i Tahirit vjen pikërisht në kohën që Prokuroria është duke kryer verifikimin e rolit të tij në krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm. Me këtë sulm vandal e mafioz ndaj drejtësisë, Tahiri kërkon të shantazhojë Gjykatën e Apelit, për të shpëtuar Çakon e tij. Nëse Çako nuk shpëton, Çako pastaj do flasë dhe do të marrë me vete edhe Tahirin.”

Por deklarata e Ministrit Tahiri ka ngjallur reagimin edhe të Unionit të Gjyqtarëve.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Unioni vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës, konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.

Sjellje të tilla, të cilat pretendohet se janë në funskion të respektimit të ligjit, thuhet në deklaratën e Unionit të gjyqtarëve janë krejtësisht të kundraligjshme, në kufijtë e konsumimit të disa veprave penale të parashikuara prej Kodit Penal.

Sipas Unionit këto deklarata dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e një aspirate madhore që është “Reforma në drejtësi’, duke mos patur aspak lidhje me reformën e aspiruar prej shqiptarëve dhe mbështetur fuqimisht prej Ambasadorëve, veçanërisht nga z. Lu dhe znj. Vlahutin.

Tv Klan






Të ngjashme