Pezulloi Çakon, Rama: Gjyqtari, killer me pagesë i drejtësisë
Akuzave për korrupsion të gjyqtarit, që ka vendosur pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, të bëra me parë nga Ministri i Brendshëm Saimiri Tahiri, i janë shtuar dhe ato të Kryeministrit të vendi, Edi Rama.
Ky i fundit nëpërmjet një statusi në Facebook, e ka konsideruar një personazh të zhytur thellë në kënetën e sistemit të drejtësisë aq sa, sipas tij, edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka shkarkuar për korrupsion. “Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshilli i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës!”, shkruan Rama. “Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë... Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të vërë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t'i shtypur kokën drejtësisë?”, vijon ai. “Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e as iman e rimori çekiçin në dorë, sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre!”, e mbyll statusin e tij kryeministri./tvklan.al