Kosovë/ Misioni i EULEX, deri në Qershor 2018
Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX-it, edhe për dy vite tjera.
Vazhdimi i mandatit të EULEX-it ka marrë mbështetjen përmes miratimit të dy Projektligjeve përkatëse, të cilit do t’i procedohet Kuvendit për miratim.
Vendimi i qeverisë, sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka pasuar letrën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, përmes së cilës ai ndër tjera e mirëpret vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Në këtë aspekt, edhe qeveria, ka thënë Mustafa e mbështet EULEX-in në vazhdimin e punës në Kosovë.
“Me aprovimin e këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”,
ka thënë Mustafa.
EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin, monitorimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, raporton Radio Evropa e Lirë.
Por, gjatë dy viteve të ardhshme, kryeministri Mustafa ka thënë se ky mision do të duhej që t’i bartë edhe një pjesë të kompetencave ekzekutive te institucionet e Kosovës.
“Qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqëndrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim”
, ka theksuar Mustafa.
Nga puna praktike në Kosovë, ky mision kryesisht është marrë me hetimin dhe zgjidhjen e rasteve të cilësuara të krimit të nivelit të lartë që përfshijnë krimin e organizuar dhe korrupsionin./tvklan.al