KLD, kallëzim në Prokurori për Tahirin
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të kallëzohet penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Arsyeja e këtij vendimi, marrë në një mbledhje jashtë radhe këtë fundjavë, thirrur nga kryetari i këtij institucioni, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, janë akuzat që Ministri ka bërë në adresë të gjyqtarit Arian Aliaj, i cili vendosi masën e pezullimit nga detyra për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako.
Anëtarëve e KLD, thuhet në njoftimin për shtyp të këtij organi, i cilësojnë sulme të papranueshme, fyese dhe kërcënuese deklaratat e Tahiri, në adresë të gjyqtarit Arjan Aliaj, pasi për ta, ato bëhen për të intimiduar jo vetëm z. Aliaj, por dhe trupën gjyqësore në tërësi.
Pasi gjyqtari Aliaj vendosi masën e pezullimit për Çakon dhe dy zyrtarë të tij, si të përfshirë në çështjen e pajisjes IMSI Catcher, Ministri Tahiri, përmes disa daljeve publike, e akuzoi atë për korrupsion dhe lirimin e të arrestuarve për krime të rënda, grabitësve dhe përdhunuesve.
Tv Klan